Skuadra e Chelseat ka dështuar të shënojë fitore në fushë të Fulhamit, me ç’rast ka mbetur tre pikë mbrapa Liverpoolit që prin në krye të tabelës.
Blutë u gjetën në disavantazh në minutat e para të ndeshjes (10’) kur Clint Dempsey shfrytëzoi një gjuajtje të lirë për t’ia ndërruar kahun topit dhe e plasoi në rrjet.
Mysafirët reaguan pesë minuta brenda pjesës së dytë duke i barazuar shifrat me një gol të Frank Lampard pas një gabimi të mbrojtjes vendase.
Lampard krijoi edhe epërsinë për Chelsean nga gjuajtja e lirë (72’), mirëpo Blutë nuk arritën ta mbanin këtë epërsi deri në fund të takimit, pasi që në minutat e fundit të kohës së rregullt, Clint Dempsey shënoi golin e dytë për të nxjerrë një pikë të artë nga ky takim për Fulhamin.
Me këtë barazim Chelsea ngjitet në kuotën e 42 pikëve dhe tash ka tre pikë më pak se lideri i tabelës Liverpool, i cili kryeson me 45 pikë.